Anëtarja e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe ish-basketbollistja e njohur, Teuta Abdullahu ka marrë pjesë në Programin e FIBA Europe WiLead 3.0, Women in Leadership.
Kjo ngjarje është organizuar më 23-24 janar në Munih të Gjermanisë.
Pas pjesëmarrjes, Teuta Abdullahu ka ndarë përvojën e saj nga ky trajnim, duke reflektuar mbi rëndësinë e mbështetjes dhe inkurajimit mes grave lidere.
“Më 23-24 janar 2025, pata mundësinë e jashtëzakonshme të marrë pjesë në WiLead 3.0, Women in Leadership Program organizuar nga FIBA Europe në Munih të Gjermanisë. Ky eveniment ishte një eksperiencë e paharrueshme që më bëri të kuptoj sa e rëndësishme është të mbështesim dhe inkurajojmë njëra-tjetrën si gra udhëheqëse”, është shprehur Teuta, duke vazhduar:
“Gjatë dy ditëve, dëgjova histori të jashtëzakonshme nga gra lidere në sport, të cilat më frymëzuan të besoj më shumë te vetja ime dhe të vazhdoj të luftoj për ëndrrat e mia.
Në fund të programit, ndihesha e mbushur me energji pozitive dhe e motivuar të ndërmarr hapa të rinj në karrierën time. WiLead 3.0 më dha besimin dhe forcën që kam nevojë për të arritur qëllimet e mia dhe jam e sigurt se do ta përdor gjithçka që mësova atje për të bërë ndryshimin që dua të shoh”, ka thënë Teuta Abdullahu.