Besëlidhja vijon të dominojë Superligën në basketboll për meshkuj pas takimeve të javës së 14-të, ku fitoi 104-95 ndaj Teutës në “Asllan Rusi”. Ndeshje me rivalitet gjatë gjithë kohës, teksa të dyja ekipet e kërkuan fitoren.
Për skuadrën lezhjane u dallua Garrick me 27 pikë, ndërsa 26 pikët e Andrews për durrsakët mbetën për statistikë. Pas këtij suksesi, Besëlidhja shkëputet 5 pikë ndaj durrsakëve në renditje.
Fitore të rëndësishme korri skuadra e Tiranës, që në “Fahtir Hoti” mundi 87-71 Apoloninë, duke e bërë mjaft interesante garën për një vend në Superligë. Bardheblutë u shkëputën gradualisht duke e merituar fitoren, ndërkohë që shkëlqyen Lilaj me 29 pikë e Hysenagolli me 22 pikë.
Po kaq e rëndësishme edhe fitorja e Kamza Basket në Shkodër ndaj Vllaznisë me shifrat 87-73, duke bërë që tri skuadra të renditen në fund me nga 16 pikë. Miqtë patën një epërsi të lehtë që në fillim dhe e ruajtën atë deri në fund falë një loje më të mirë kolektive (5 lojtarë realizuan mbi 14 pikë).
Superliga-Meshkuj, java e 14-të
Tirana – Apolonia, 87-71
Vllaznia – Kamza Basket, 73-87
Besëlidhja – Teuta, 104-95
Renditja: Besëlidhja 24 pikë, Teuta 19 pikë, Tirana 17 pikë, Apolonia 16 pikë, Vllaznia 16 pikë, Kamza Basket 17 pikë.
Kategoria e Parë-Meshkuj, java e 14-të
Flamurtari – Pogradeci, 104-74
Fieri Basket – Partizani, 65-89
Skënderbeu – Elbasani, 73-112
Renditja: Elbasani 23 pikë, Partizani 22 pikë, Fieri Basket 18 pikë, Flamurtari 16 pikë, Skënderbeu 15 pikë, Pogradeci 14 pikë.