Akuzat e presidentit të Teutës, reagojnë arbitrat

Basketboll

Akuzat e presidentit të Teutës, reagojnë arbitrat

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 12:30
Arbitrat

Shoqata e Arbitrave dhe e Vëzhguesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit ka reaguar pas deklaratës së Arqile Goreas, me kreun e Tautës që akuzonte gjyqtarët, si dhe presidentin e FSHB-së, Avni Ponari.Me anë të një deklarate për “Panorama Sport”, kjo shoqatë thekson se funksionon në pavarësi të plotë, ndërsa ngre hije dyshimi se akuzat ndaj tyre bëhen për të mbuluar rezultate të dyshimta nga parketi.

Në qëndrimin e saj, Shoqata e Arbitrave dhe e Vëzhguesve nuk i kursen as notat e ironisë ndaj Goreas, pasi ky i fundit e kishte etiketuar Ponarin si beun e Federatës Shqiptare të Basketbollit. 

DEKLARATA

“Beu, argatët dhe ara e basketbollit. Fëmijëria jonë nuk ka mundur të kalojë pa dëgjuar nga gjyshërit tanë përralla me bejlerë dhe agallarë të cilët, për shkak të sistemit, dilnin si personazhe negative përballë argatëve që po ky sistem i shfrytëzonte deri në palcë dhe në fund i nxirrte heronj të punës socialiste. Mesa duket, mentaliteti komunist i asaj kohe i ka rrënjët e thella në mendjet e disave që në dukje shfaqen liberalo-demokratë, por që në thelb vazhdojnë të anatemojnë njerëz të biznesit duke i veshur me epitete të tilla.

Për analogji, ky ‘beu’ që përbaltet komplet pa të drejtë, çifligun e vet e ka ndërtuar shumë kohë më parë, atëherë kur disa agallarë që sot dërdëllisin, prisnin ndonjë kockë nga ndonjë tender abuziv apo për të mos shkuar më tej, abuzonin me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Ky ‘beu’ që sot anatemohet më së shumti për të mbuluar shumë horrllëqe që ndodhin nën rrogoz dhe që shumë shpejt do dalin në sipërfaqe, e ka ngritur në ato nivele performancën e çifligut të tij, saqë sot konkurron vetëm me simotrat e tij në Europë.

Ara e basketbollit vetëm ka përfituar nga ‘beu’ në fjalë, i cili, përveçse është një kontribuues financiar, është dhe një lobues shumë i mirë në arenën ndërkombëtare që Shqipëria të jetë për disa vite radhazi një vend pritës i aktiviteteve basketbollistike.

Për çfarë në fakt akuzohet ‘beu’?! Pjesën e biznesit e sqaruam më lart. I kthehemi ‘Thembrës së Akilit’, arbitrave dhe gjykimit.

E thënë dhe stërthënë për të disatën herë, Shoqata e Arbitrave funksionon si e pavarur nga ai që ju të nderuar e quani ‘beu’, por edhe nga zyrtarët e tjerë të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Asnjë ndërhyrje në përzgjedhjen e arbitrave dhe sigurisht asnjë ndërhyrje për mënyrën si ata gjykojnë.

Komisionet punojnë në pavarësi të plotë dhe në rastin konkret është komisioni i gjykimit ai që përgjigjet për çdo problematikë që del rast pas rasti. Jemi në fazën e fundit të sezonit dhe kuptojmë shumë mirë që muzika e njëjtë e çdo fundsezoni do na shoqërojë edhe këtë herë, por nuk kuptojmë pse në disa raste me po të njëjtët emra arbitrash ka paqe dhe lumturi në fund të një humbjeje të ngushtë?

Apo mos vallë duhet të kemi dhe ne të drejtën të dyshojmë për shumëçka? Përse në disa raste të tjera kemi rezultate befasuese që, si për dreq, na bëjnë të na shkojë mendja aty ku nuk do duhej të na shkonte? A mos vallë me këto sulme të orkestruara jeni duke mbuluar këto dyshime që sapo përmendëm? Nuk duam ta besojmë një gjë të tillë. Agallarë dhe argatë të arës tonë të basketbollit, trupa e gjyqtarëve ju kërkon shumë dashamirësisht të mos vazhdoni me baltën që jeni mësuar prej vitesh të hidhni në këtë periudhë, por të jeni bashkëpunues dhe mbështetës që dhe ne të përmirësohemi çdo ditë e më shumë, pasi jemi qenie humane me gabimet dhe të metat tona, ashtu si dhe ju me tuajat.

Gjykimi në basketbollin shqiptar nuk ka qenë kurrë më i pastër se sot dhe do jetë shumë më i pastër nesër, por gjithmonë dhe me ndihmën tuaj të çmuar e cila do të konsistonte në denoncimin e menjëhershëm të çdo rasti korruptiv.

Të lemë mënjanë etiketimet dhe sharjet ndaj atyre që vetëm të mira i kanë sjellë këtij sporti dhe të vazhdojmë secili në rrugën e tij, duke ndihmuar dhe jo duke i futur shkopinj në rrota njëri-tjetrit. Ajo që na bashkon, është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Shoqata e Arbitrave të FSHB-së”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat