Do të jenë Tirana-Teuta dhe Partizani-Flamurtari çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, teksa dje ishin vlonjatet dhe durrsaket ekipet e fundit që siguruan biletat për në katërshe.
Gjithçka e thjeshtë për Flamurtarin, teksa mbajtëset në fuqi të trofeut të Kupës mposhtën në shtëpi Elbasanin me rezultatin e thellë 85-51 (24-8, 27-15, 17-22, 20-6). Imani Jones me 19 pikë ishte shënuesja më e mirë për vlonjatet, ndërsa për Elbasanin u dallua Dea Sali me 17 pikë.
Në sfidën tjetër, Teuta mposhti Vllazninë në Shkodër me rezultatin 76-80 (14-19, 17-22, 22-22, 23-17). Një takim me rivalitet, ku skuadra durrsake bëri më mirë në pjesën e parë, për t’i bërë më pas ballë ofensivës së vajzave kuqeblu në 20 minutat e dyta.
Aniylah Bryant udhëhoqi Teutën me 36 pikë dhe 7 kërcime, ndërsa për Vllazninë nuk mjaftoi Bernarda Rreshpja me 31 pikë, 8 kërcime dhe 10 asistime. Për shkak të problemeve teknike me tabelën në Elbasan, FSHB gjysmëfinalet i ka spostuar në sallën “Dhimitraq Goga” në Fllakë, ndërsa pritet të zyrtarizohen datat dhe oraret.