Besëlidhja dhe Vllaznia janë dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.
Në mjediset e akademisë Goga në Durrës u zhvilluan dy sfidat gjysmëfinale, ndërkohë që mbrëmjen e së dielës do të luhet finalja e madhe.
Në gjysmëfinalen e parë, Vllaznia fitoi në sekondat e fundit 79-77 ndaj Elbasanit, ekipit surprizë të këtij eventi. Një ndeshje që dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, por një kosh i Arnold (13 pikë) në fund i dha fitoren Vllaznisë.
Një ndeshje ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra, duke rivalizuar deri në fund e më shumë barazime. Wilkins me 19 pikë ishte shënuesi më i mirë për shkodranët, ndërsa 48 pikët e dyshes White-Paul për elbasanasit mbetën për statistikë.
Më e lehtë fitorja e Besëlidhjes, që mposhti 81-63 Kamza Basket, ndeshje pa shumë histori. Skuadra lezhjane u shkëput gradualisht nga perioda në periodë, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim fitoren (46-32 mbyllet pjesa e parë).
Kamzalinjtë përpiqen të rikuperojnë por pa forcë, ndërsa Besëlidhja bën detyrën. Angle me 15 pikë ishte shënuesi më i mirë për lezhjanët, duke i bërë të pavlefshme 16 pikët e Nnanabu për Kamza Basket.
Gjysmëfinale-Meshkuj
Vllaznia – Elbasani, 79-77
Besëlidhja – Kamza Basket, 81-63
Finale-Meshkuj
Vllaznia – Besëlidhja (9 shkurt)