Skuadra e Besëlidhjes është fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Në finalen e luajtur në mjediset e “Akademisë Goga” në Durrës, skuadra lezhjane mundi 85-73 Vllazninë.
Një ndeshje e vendosur në 10-minutëshin e fundit, teksa të dyja ekipet dueluan fort për fitoren. Loja shpesh ishte me hope, me gabime nga të dyja skuadrat, që ndjenin rëndësisë e një finaleje të tillë.
Gjithsesi, në fund festuan basketbollistët e Besëlidhjes, ende të pamposhtur këtë sezon. Lezhjanët e nisin më mirë ndeshjen, marrin shpejt kontrollin e lojës dhe udhëheqin 27-15 në mbyllje të peridoës së parë.
Në të dytën është Vllaznia që luan më mirë, rikuperon dhe pjesa e parë mbyllet 44-42 për lezhjanët. Mjaft e ekuilibruar perioda e tretë, ku herë udhëheq njëra skuadër e herë tjetra (mbyllet 67-66).
Në periodën e fundit, Besëlidhja krijon një epërsi të lehtë, të cilën e administron me qetësi deri në fund, duke fituar 85-73. Tri lojtarë të Besëlidhjes realizuan mbi 20 pikë: Angle 22 pikë, Weeks 21 e Garrick 20 pikë.
Gjysmëfinale-Meshkuj
Vllaznia – Elbasani, 79-77
Besëlidhja – Kamza Basket, 81-63
Finale-Meshkuj
Vllaznia – Besëlidhja, 73-85