Trepça apo Bashkimi?

Basketboll

Trepça apo Bashkimi?

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 18:40
Pamje nga një ndeshje

Super finalja e Kupës së Kosovës në basketboll ka vënë përballë Trepçën dhe Bashkimin.

Përballja pritet të jetë me spektakël, duke marrë parasysh rivalitetin mes skuadrave, por edhe formën e treguar në këtë edicion.

Ky trofe është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat, që synimin e vetëm e kanë fitoren.

Mitrovicasit kanë fituar shtatë herë Kupën e Kosovës, duke përfshirë edhe tri herët e fundit. Bashkimi ka fituar vetëm një herë këtë trofe të rëndësishëm, më 2001.

Në pesë takimet e fundit direkte mes tyre, mitrovicasit kanë tri fitore derisa prizrenasit dy.

Sa i përket garave në Superligë, të dy skuadrat kanë nga 14 fitore e gjashtë humbje.

Rruga drejt finales nuk ishte aspak e lehtë. Mitrovicasit në çerekfinale eliminuan Proton Cable Prizrenin, kurse në gjysmëfinale rivalin e vjetër, Sigal Prishtinën, ku edhe pse humbën ndeshjen e parë, u rikthyen në atë të dytë për të siguruar biletën për finale.

Bashkimi në çerekfinale eliminoi Borën, derisa në gjysmëfinale Vëllaznimin. Në ndeshjen e parë pësuan nga kuqezinjtë, derisa në përballjen e dytë arritën rikthimin për të siguruar finalen.

Biletat për ndeshjen finale të Kupës do të shiten për klubet finaliste, Trepçës dhe Bashkimit. Gjithsej do të ndahen nga 750 bileta për Klubin e Trepçës dhe 750 për Bashkimin. Biletat e thjeshta kushtojnë 5 Euro, kurse ato VIP nën kosh kushtojnë 15 Euro, që janë në sasi më të vogël dhe po ashtu janë në menaxhim të klubeve finaliste.

Ndeshja finale nesër mbrëma në Prishtinë nga ora 19:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat