Fetahu: Finalja e Kupës – sukses, pasion dhe përkushtim për basketbollin

Basketboll

Fetahu: Finalja e Kupës – sukses, pasion dhe përkushtim për basketbollin

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 14:03
Arben Fetahu

Sonte do të luhet ndeshja finale e Kupës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Bashkimit.

Dhe, presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu e ka një porosi dhe dedikim për përballjen e sontme, e cila do të luhet në Prishtinë duke filluar nga ora 19:00.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka kënaqësinë të mirëpresë finalen e ProCredit Kupës së Kosovës, një ndeshje që përfaqëson kulmin e garës dhe përkushtimit të klubeve tona elitare. KB Trepça dhe KB Bashkimi kanë arritur me plot meritë në këtë finale falë punës së palodhshme, investimeve strategjike dhe përkushtimit ndaj basketbollit.

Dua t’i falënderoj të dyja klubet për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, jo vetëm në parket, por edhe për mobilizimin e qyteteve të tyre dhe për mbështetjen e fuqishme që po i japin zhvillimit të basketbollit kosovar. Përmes sponsorëve, tifozëve dhe komunitetit të basketbollit, ju po e ngritni cilësinë e ProCredit Superligës, duke e bërë basketbollin në Kosovë gjithnjë e më konkurrues dhe atraktiv.

Gjithashtu, shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjitha klubet e tjera të ProCredit Superligës, si KB Sigal Prishtina, KB Vëllaznimi, KB Peja, KB Proton Cable Prizreni, KB Golden Eagle Ylli dhe KB Bora, që me përkushtimin e tyre po kontribuojnë në rritjen e cilësisë së garës dhe zhvillimin e basketbollit në vendin tonë.

Një falënderim i veçantë i takon edhe ProCredit Bank, sponsorit gjeneral të ProCredit Superligës, me të cilin kemi nënshkruar vitin e kaluar një kontratë katërvjeçare. ProCredit Bank është partneri ynë kryesor në ngritjen e çdo aspekti të garës më elitare në vendin tonë, duke ndihmuar zhvillimin e basketbollit në nivel profesional dhe duke mundësuar një kampionat gjithnjë e më të fortë dhe më të organizuar.

Jam i bindur se sonte do të shijojmë një ndeshje të nivelit të lartë, me pasion, rivalitet sportiv dhe atmosferë fantastike në tribuna. Inkurajoj të gjithë tifozët të jenë pjesë e kësaj feste sportive dhe të tregojnë mbështetje të fuqishme me fair-play dhe respekt për lojën.

Ju uroj shumë suksese të dy skuadrave finaliste dhe falënderoj gjithë komunitetin e basketbollit për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm. Le të fitojë më i miri!”, ka shkruar Fetahu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat