Prishtina arrin fitore me rikthim ndaj Vëllaznimit

Basketboll

Prishtina arrin fitore me rikthim ndaj Vëllaznimit

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 22:58
Prishtina

Vëllaznimi ishte në epërsi pas çerekut të parë, pas çerekut të dytë, e pas çerekut të tretë. Por jo edhe atëherë kur vërtetë vlen – në fund të ndeshjes.

Skuadra gjakovare u mposht të premten mbrëma nga Sigal Prishtina me rezultat 85:77, ndonëse e kontrolloi ndeshjen në shumicën e kohës.

Ndeshja i takoi xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll. U zhvillua në Pallatin e Rinisë në Prishtinë në praninë e dhjetëra shikuesve.

Për Prishtinën është fitorja e shtatë rresht në Superligë. Humbjen e fundit kampionale ia kishte shkaktuar pikërisht Vëllaznimi, në Gjakovë, në kuadër të xhiros së 14-të. Pra skuadra prishtinase është në seri të fitoreve ndaj të gjitha skuadrave të Superligës.

Prishtina tani i ka 34 pikë sa edhe Trepça e Bashkimi që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Vëllaznimi është i katërti me 32 pikë.

Skuadra gjakovare e fitoi çerekun e parë me rezultat 23:16. Në çerekun e dytë të dy skuadrat i shënuan nga 19 pikë dhe kështu Vëllaznimi mbajti epërsinë. Prishtina u afrua në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 23:21. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 63:58 në të mirë të Vëllaznimit.

Mysafirët mbajtën epërsi deri në mesin e periudhës së katërt. 4.16 minuta par fundit rezultati u barazua në 69:69.  Sërish Vëllaznimi shënoi për tri pikë, ndërsa Prishtina barazoi në 72:72. Më pas Prishtina shënoi shumë më tepër për të arkëtuar dy pikë të vlefshme.

Josh Nzeakor ishte më efikasi te Prishtina me 17 pikë. Rashad Mahalbashiq i kishte 16 pikë e 10 kërcime. Me 14 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime kontribuoi Daniel Lekndreaj.

Jericole Hellems i kishte 19 pikë e pesë kërcime te Vëllaznimi. 17 pikë e pesë kërcime i realizoi Trey Anderson, ndërsa Jason Jitoboh i kishte 10 pikë e nëntë kërcime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat