Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Jean-Denys Choulet ka shpallur listën e gjerë për dy ndeshjet e Dardanëve në muajin shkurt.
Në listën e gjerë do të jenë 14 basketbollistë, derisa Erjon Kastrati do të mungojë për shkak të lëndimit.
Divine Myles rikthehet te Dardanët pas formës së mirë që po e tregon në Poloni, e po ashtu rikthehen nga lëndimet edhe Drilon Hajrizi, Valon Bunjaku dhe Musab Mala, që munguan në grumbullimin e fundit.
Kosova më 20 shkurt përballet me Azerbajxhanin dhe 23 shkurt me Zvicrën në parakualifikimet evropiane për FIBA Kupën e Botës 2027.
Të dy ndeshjet zhvillohen në Prishtinë, ku Dardanët më shumë se kurrë kanë nevojë për përkrahjen nga tifozët.
Dardanët kanë një fitore dhe tri humbje në katër ndeshjet e Grupit A.
Vendi i parë kualifikohet në fazën e ardhshme, ashtu si edhe vendi i dytë më i mirë nga tri grupet parakualifikuese.