Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, është i kënaqur me angazhimin e basketbollistëve, duke u mburrur për fitoren ndaj Azerbajxhanit me rezultat 81:79 dhe pas kësaj pësuan humbje me 73:81 nga Zvicra.
“Të dashur adhurues të basketbollit, komunitet i çmuar sportiv, përfaqësues të institucioneve dhe partnerë të nderuar,
Përfaqësuesja e Kosovës e ka përmbyllur garën në kuadër të parakualifikimeve evropiane për FIBA Kupën e Botës 2027 me dy ndeshje emocionuese në Prishtinë. Ndaj Azerbajxhanit, djemtë tanë treguan forcë dhe shpirt garues, duke arritur një fitore të merituar, kurse ndaj Zvicrës, pavarësisht rezultatit përfundimtar, ata luftuan deri në sekondën e fundit, duke treguar zemër dhe pasion për fanellën që përfaqësojnë.
Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës, të cilët dhanë maksimumin e tyre në çdo sekondë të lojës. Ata dëshmuan guxim, vendosmëri dhe shpirt luftarak, duke na bërë të gjithëve krenarë. Falënderimi më i sinqertë shkon për ta që na përfaqësuan me dinjitet dhe përkushtim.
Po ashtu, një falënderim i përzemërt shkon për të gjithë anëtarët e shtabit teknik, për përgatitjen profesionale dhe punën e palodhshme që bënë për të mbështetur ekipin tonë në çdo hap të rrugëtimit. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre janë një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të Përfaqësueses sonë.
Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë adhuruesit e basketbollit që mbushën palestrën dhe krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Prania dhe përkrahja juaj janë motivimi më i madh për lojtarët tanë dhe për gjithë komunitetin e basketbollit në Kosovë.
Gjithashtu, shpreh falënderimet e mia për Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për të gjithë partnerët dhe sponsorët tanë që kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e basketbollit në vendin tonë.
Një mirënjohje e veçantë i dedikohet Bankës TEB, Sponsorit Gjeneral të Përfaqësueseve të Kosovës, për përkrahjen e palëkundur dhe besimin në potencialin e basketbollit tonë. Mbështetja juaj është thelbësore për suksesin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Përfaqësueses sonë.
Gjithashtu, dua të falënderoj stafin e Federatës për organizimin dhe përkushtimin e tyre, si dhe të gjitha grupet e tjera të interesit që kontribuojnë në zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
Pavarësisht përfundimit të kësaj gare, ne nuk do të ndalemi këtu. Sytë tanë janë të drejtuar drejt së ardhmes – parakualifikimet për FIBA Eurobasket 2029, që do të fillojnë në nëntor të vitit 2025. Presim me padurim shortin gjatë verës dhe do të vazhdojmë përgatitjet me përkushtim dhe vendosmëri.
Ne jemi të përkushtuar që të punojmë edhe më shumë me klubet dhe grupet e tjera të interesit për të zhvilluar basketbollin e të rinjve, të cilët janë e ardhmja e Përfaqësueses së Kosovës. E ardhmja është e ndritur dhe së bashku, me punë të palodhshme dhe përkushtim, do ta ndërtojmë atë.
Faleminderit edhe një herë të gjithëve për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar dhe dashurinë për basketbollin. Së bashku, do të vazhdojmë të rritemi dhe të arrijmë suksese të reja!
Forca Kosova!”, ka shkruar Fetahu.