Federata e Basketbollit e Kosovës do të organizojë aktivitetin e radhës në kuadër të kampanjës së FIBA-s “Her World, Her Rules” (HWHR).
Kjo është një iniciativë që synon të promovojë dhe fuqizojë vajzat dhe gratë në basketboll.
“Her World, Her Rules” do të mbahet më 7 mars në Palestrën ‘Karagaçi’.
Eventi do të zhvillohet në Pejë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, duke shërbyer si një platformë motivuese për pjesëmarrëset që të angazhohen në sport dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre.
Qëllimi i këtij organizimi është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e përfshirjes së vajzave dhe grave në basketboll, të promovojë barazinë gjinore në sport dhe të krijojë mundësi të reja për talentet e reja në këtë disiplinë.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e pesë vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt.
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.