Pas pauzës për Kupën e Shqipërisë dhe për ndeshjet e Kombëtares, dje janë rikthyer sfidat e Superligës së basketbollit për meshkuj.
Java e 15-të është hapur me fitoren në transfertë të Teutës kundër Kamzës. Durrsakët triumfuan me rezultatin e thellë 76-92, në takimin që u zhvillua në palestrën e shkollës “Halit Coka” në Bathore. Një ndeshje e dominuar nga Teuta, e cila me përjashtim të 2-3 minutave të para, më pas nuk e diskutoi për asnjë moment suksesin.
PERIODAT – Takimi nisi mirë për Kamzën, e cila nën entuziazmin e fillimit, realizoi 7 pikët e para. Nga ana tjetër, miqtë pritën rreth 2 minuta e gjysmë për të gjetur koshin e parë, i cili erdhi për 3 pikë nga Kristi Gorea. Gradualisht durrsakët e morën lojën nën kontroll, duke e përmirësuar ndjeshëm shënjestrën, për të shpërthyer në gjysmën e dytë të periodës, duke shkuar në pushim me avantazhin 17-27. Edhe çereku i dytë u dominua nga Teuta, e cila fitoi 16-27, duke thelluar në 33-54 pas 20 minutash lojë.
Bregdetarët e trajnerit Nikola Milatoviç mbajnë ritëm të lartë edhe në periodë e tretë, ku fituan 12-21, duke kryesuar 45-75 pas 30 minutash lojë. Në këto shifra, praktikisht llogaritë ishin të mbyllura, teksa durrsakët u japin hapësira edhe të rinjve, ndërsa Kamza e zbut disi diferencën, duke marrë periodën e fundit 31-17, por në shifra të përgjithshme triumfi mbetet i blinduar për Teutën me +16 pikë. Katër lojtarë të formacionit mik realizuan mbi 19 pikë në këtë përballje.
Dopietë dyshifrore nga Bryan Powell, protagonist me 25 pikë e 10 kërcime, Tiras Morton regjistroi 23 pikë, Morgan Taylor 20 dhe kapiteni Gorea 19. Për Kamzën nuk mjaftoi dyshja amerikane Elijah Nnanabu – Jalen Vaughs, me të parin që realizoi 25 pikë e 9 kërcime, ndërsa i dyti 17 pikë e 7 kërcime. Me këtë fitore Teuta i forcon edhe më tepër pozitat në vendin e dytë, ndërsa Kamza qëndron e katërta, ndonëse mbetet për tu theksuar renditja shumë e ngjeshur, duke përjashtuar Besëlidhjen kryesuese.
Java e 15-të e Superligës do të vijojë sot në orën 19:30 me një përballje elektrizuese në sallën “Farie Hoti”, aty ku Tirana do të presë Besëlidhjen. Ndërsa sfida e fundit do të jetë të dielën në orën 18:00 në Fier, ndërmjet Apolonisë dhe Vllaznisë.