Flamurtari pranë “Final 4” në Ligën Unike

Basketboll

Flamurtari pranë “Final 4” në Ligën Unike

Më: 4 mars 2025 Në ora: 15:52
Pamje nga një ndeshje

Liga Unike e basketbollit për femra ka hapur dje javën e parafundit të sezonit të rregullt me sfidën ndërmjet Junior 06 dhe Flamurtarit. Vlonjatet triumfuan në Prizren me rezultatin 73-83, për tu ngjitur në vendin e dytë në renditje. 

Vajzat e drejtuara nga trajneri Agim Dalipi e bënë diferencën në periodën e parë dhe të tretë. Flamurtari e filloi mirë, duke shkuar në +11 pikë në gjysmën e periodës së parë. Skuadra prizrenase ngushtoi, me çerekun që u mbyll 17-22.

Perioda e dytë nuk ndryshoi asgjë, fraksion që u mbyll 22-22, me ekipet që shkuan në pushim në shifrat 39-44 për vlonjatet. Flamurtari thelloi në +10 pikë, teksa mori edhe çerekun e tretë 17-22, duke kryesuar 56-66 pas 30 minutash lojë.

Miket e administruan lojën në periodën e fundit, e cila u mbyll 17-17, duke hipotekuar suksesin. Johnson me 14 pikë, 10 kërcime dhe 7 asistime, Thomas me 23 pikë e 7 kërcime, Ramos me 17 pikë dhe Omerbasiç me 14 udhëhoqën Flamurtarin . Për Junior 06 nuk mjaftuan Cannon me 22 pikë e 9 kërcime dhe Bilalli me 20 pikë, ndërsa prizrenaset mbetet të fundit në kompeticionin mbarëkombëtar.

Java e nëntë do të vijojë sot me takimin Tirana-Bashkimi në orën 17:00 në “Farie Hoti”, për tu mbyllur nesër me sfidën Peja-Partizani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat