Nëntë muaj e gjysmë pas duelit të Nevadës Tyson Fury – Deontay Wilder, ku “Gypsy King” fitoi titullin në versionin WBC me “knockout” teknik, në raundin e shtatë, peshat e rënda në boks kthehen me një tjetër ndeshje të madhe, këtë herë në Kontinentin e Vjetër. Bëhet fjalë për duelin Anthony Joshua – Kubrat Pulev, takim që do të mbahet në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, në “O2 Arena”.
Për një sfidë të tillë ishte prenotuar Tottenham Hotspur Stadium, me kapacitet 62.303 vende, megjithatë pasojat e pandemisë së Koronavirusit kanë prekur natyrisht edhe sportin e boksit, kështu që dueli Joshua – Pulev do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje, rreth orës 23:00, pikërisht në “O2 Arena”, me praninë e vetëm 1000 spektatorëve.
Sigurisht takimi pritet me shumë interes, pasi të dy boksierët rikthehen në ring pas më shumë se një viti. 371 ditë më parë AJ fitoi me vendim unanim në Arabinë Saudite revanshin ndaj boksierit nga Shtetet e Bashkuara me origjinë meksikane Andy Ruiz Jr, që 6 muaj më herët i pati shkaktuar në “Madison Square Garden” të Neë Yorkut edhe humbjen e parë dhe të vetme në karrierë 31-vjeçarit britanik.
Në krahun tjetër, veterani bullgar ngjitet sërish në ring pas plot 399 ditësh. 39-vjeçari nga Sofja mposhti në Fresno, në Kaliforni, me vendim unanim pas 10 raundeve boksierin amerikan Rydell Booker, duke siguruar fitoren e tetë radhazi. Të vetmen disfatë “Cobra” e ka pësuar 6 vjet më parë, në Hamburg, nga ish-boksieri i famshëm ukrainas, Wladimir Klitschko, sfidë e vlefshme për titullin në versionin IBF.
Boksieri me origjinë nigeriane ka fituar 23 nga 24 ndeshjet e zhvilluara, 21 prej të cilave me “knockout”, në anën tjetër boksieri ballkanas ka triumfuar në 28 nga 29 sfidat e tij gjatë karrierës si profesionist, 14 prej të cilave i ka mbyllur përpara kohe.
Sfida e Londrës do të jetë e vlefshme për titujt në Federatat WBA, IBF, WBO dhe IBO dhe në rast të një suksesi të AJ, sipas promoterit të tij të famshëm, Eddie Hearn, do të bëhet i pashmangshëm në vitin 2021 dueli i shumëpritur dhe aq shumë i përfolur, derbi britanik për të unifikuar gjithçka në peshat e rënda, sfida e sfidave, Anthony Joshua – Tyson Fury.