Si çdo sport tjetër edhe sportet luftarake ishin në vijë të parë të frontit sportiv në vitet e 90-ta (1991-1999) kundër regjimit serb.
Faton Xhakli i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë sportistë i trefishtë, e i dëshmuar si në karate, boks dhe në kick-box.
“Në vitin 1989 jam shpallur kampion i karatesë dhe deri në vitin 1995 kam pasur rezultate te mira në karate, në boks dhe në kick-box”, tregon Xhakli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Xhakli, si mijëra sportistë tjerë shqiptarë, ishte halë në sy për pushtuesin serb, por përkundër kësaj ai asnjëherë nuk i ndërpreu ushtrimet dhe garat.
“Kosovën e kam përfaqësuar në kick-box në Maqedoni dhe në Bullgari në edicionin 1993/94.
Më kujtohet në vitin 1993 ishim duke u kthyer nga garat qe u mbajtën në Mitrovicë, nga turneu i boksit dhe na ndali policia serbe duke na maltretuar. Ata na gjetën kupën që e kishte fituar shoku im, Jeton Vishi, si boksier më luftarak”, kujton atëkohë Xhakli.
Jo vetëm me kaq, Xhakli ka pasur edhe sallën e improvizuar në shtëpinë e tij, që sot quhet rruga “Rexhep Bislimi” në Ferizaj dhe disa herë ishte maltretuar ai dhe familja e tij nga regjimi serb.
“Ky ishte shkaku ku u detyrova ta lë Kosovën”, thotë Xhakli.
Ai ka qenë garues i Kastriotit dhe aty kanë stërvitur ky klub në ato vite.
Megjithatë Xhakli ndihet krenar që i shërbeu asaj periudhe sa të rëndë aq edhe të lavdishme, duke i rezistuar regjimit serb.