Eventi UFC-262 që zhvillohet këtë fundjavë në Amerikë do të ketë një përballje të veçantë, atë për titullin kampion bote në peshën e lehtë në artet marciale mikse.
Në kafaz do të jenë përballë njëri-tjetrit amerikani Michael Chandler dhe braziliani Charles Oliveira.
Ata kanë dhënë një konferencë shtypi në prag të kësaj sfide të veçantë, teksa do të duelohet për titullin e lënë vakant nga Khabib Nurmagomedov.
Oliveira, duke folur për mediat tha:
“E kam pritur prej kohësh këtë mundësi, këtë shans për të dueluar për titullin. Për fat të keq nuk pata mundësi të dueloj ndaj Khabib, por të jem pasardhësi i tij do të jetë një nder. Po kaloj një moment të mirë dhe besoj se kjo punë e viteve të fundit do të kurorëzohet me një titull”. Braziliani ka fituar 8 duelet e fundit dhe nuk humbet prej vitit 2017.