Nipi i boksierit legjendar, Muhammad Ali, Nico Ali Walsh, fitoi ndeshjen e tij të parë në këtë sport si profesionist.
Boksieri i ri nga Shtetet e Bashkuara mundi me knock out 29-vjeçarin tjetër amerikan, Jordan Weeks, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave, anembanë globit.
Një fillim i tillë do të konsiderohej premtues për gjithkënd në këtë sport, megjithatë, kur origjina lidhet edhe me emrin e të madhit Cassius Clay, në mënyrë të kuptueshme gjithçka shndërrohet vetvetiu në lajm.
Në “Hard Rock Hotel & Casino”, në Tulsa, 21-vjeçarit nga Chicago i mjaftuan vetëm 70” për të mposhtur kundërshtarin e tij të parë në boksin profesionist.
Një fillim vërtet shumë i mbarë, i festuar gjatë në ring bashkë me promoterin e famshëm Bob Arum dhe kumbarin e tij Flavor Flav. Nico Ali Walsh ia dedikoi triumfin e tij të parë gjyshit të ndjerë dhe 21-vjeçari nga Illinoisi shpjegoi se pantallonat e shkurtra me të cilat boksoi në këtë duel i kishte dhuratë pikërisht nga Muhammad Ali.