Florian Marku mbrëmjen e sotme do ta ketë ndeshjen më të rëndësishme të karrierës deri më tani në boksin profesionist. “Dinamiti” kuqezi do ta sfidojë rumunin Maksim Prodan në duelin e peshave të mesme që vlen titullin kampion në federatën IBFI.
Sfida do të zhvillohet në stadiumin e Totenhemit në Londër, teksa eventi do të kulmojë me kryendeshjen Joshua-Usyk.
Ditën e djeshme, Marku dhe rivali i tij bënë edhe peshimin, ku fillimisht pati një alarm se 28-vjeçari shqiptar ishte mbi peshë, por që më pas vetë boksieri sqaroi se gjithçka ishte në rregull. Pas peshimit, luftëtari shqiptar shkruan:
“Kam ëndërruar për ndeshje dhe stadiume të tilla gjithë jetën. Nesër (sot) është ndeshja, një ndeshje ku të gjitha ëndrrat e mia do fillojnë të bëhen realitet. Veç Zoti e di sa kam punuar për këto ditë, tani është fillimi dhe titulli i parë për mua në boks”.