Tyson Fury, kampioni i botës në peshën e rëndë, do të rikthehet në ring në mars ose prill të vitit tjetër.
Lajmin e konfirmoi menaxheri i njohur i boksit Bob Arum.
Fury dueloi dy javë më parë ndaj Deontay Wilder, duke fituar me KO në raundin e 11-të dhe mbrojti titullin kampion bote në peshën e rëndë (kategoria WBC).
Për momentin, Fury është pezulluar për 45 ditë nga të gjitha eventet sportive nga komisioni mjekësor i Nevada, për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga ajo sfidë. “Mendoj se Fury do ta shohim sërish në ring në mars ose prill. Kemi kohë të diskutojmë për rivalin e ardhshëm”, tha Arum.
“Më pas, në vjeshtën e vitit tjetër do të synojmë unifikimin e titujve kampionë bote në peshën e rëndë me fituesin që do të dalë nga revanshi mes Joshua dhe Usyk. Edhe ata do të duelojnë në pranverën e vitit tjetër. Këto janë planet që Fury ka për vitin 2022”, tha Bob Arum.