Fitore e madhe e Alban Beqirit në kategorinë 71 kg në Kampionatin Botëror në boks, që po zhvillohet në Beograd.
Beqiri boksoi me zgjuarsi kundër kenianit Boniface Maina, duke e mposhtur atë dhe kualifikohet më tej.
Fitore që i jep kurajo edhe boksierëve të tjerë të Kombëtares së Shqipërisë.
Ish boksieri i mirënjohur, Sead Bushati, aktualisht trajner dhe pedagog në Universitetin e Sporteve në Tiranë, tha se Albani është një boksier me përvojë dhe shpreson e beson se do të arrijë të kalojë edhe pengesën tjetër, lituanin.
“Edhe pse nga ana e federatës shqiptare të boksit është bërë shumë pak në lidhje me përgatitjet për një kampionat madhorë siç është Botërori, fitoren e Albanit sot e prisja sepse Albani është një boksier me përvojë në aktivitetet ndërkombëtare dhe kampion Ballkani nè fuqi, sot u ndesh me një qetësi të admirueshme duke e menaxhuar ndeshjen.
Është boksier i kompletuar dhe mendoj se ka kapacitet më të madh të cilin duhet ta shfaqe në ndeshjet në vazhdim.
Shpresoj shumë edhe në ndeshjen e radhës me boksierin e fortë nga Lituania, i uroj suksese dhe boksierëve të tjerë Nelson Hysës dhe Indrit Laçit”, thotë Bushati për gazetën kombëtare “Bota sot”.