Mjeshtër i madh i ringut, e kush tjetër përveç boksierit Alban Beqiri, i cili sonte shkëlqeu në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd të Serbisë.
Beqiri luftoi si luan në përballje me shtatlartin nga Panamaja, Eduardo Beckford, duke e mposhtur me mjeshtri dhe u kualifikua në çerekfinale!
E jashtëzakonshme, djaloshi i Kombëtares së Shqipërisë, ka arritur në mesin e tetë më të mirëve në Kampionatin Botëror, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/October/31/auto_auto_249635461_1081767599251966_4585915795603436335_n16355391261635718371.jpg)
Sead Bushati në të majtë dhe Alban Beqiri në të djathtë
Ish boksieri i mirënjohur, Sead Bushati, aktualisht trajner e pedagog në Universitetin e Sporteve në Tiranë, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, se sonte Beqiri ka shkruar historinë.
“Alban Beqiri shkruan historinë e boksit shqiptar me fitoren e tretë në Botëror duke u futur në 8-të boksierët më të mirë të botës! Me klasin e lartë dhe me zgjuarsi të tij arriti të mposht boksierin shtatlartë dhe teknik të Panamasë!
Në ndeshjen e radhës ka boksierin shumë të fortë nga Jordania i cili mundi 2 here kampionin Olimpik kubanezin Roniel Iglesias Sotolongo, por besoj në aftësitë e Albanit teknikën, inteligjencën e tij dhe shpresoj se do të triumfojë dhe do të na sjell medaljen për herë të parë në një Botëror në Shqipëri!”, thotë Bushati.