Khabib Nurmagomedov, ish-kampioni i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse, i tërhequr nga sporti prej më shumë se një viti (29 fitore, 0 humbje), ka kohë që ka nisur të promovojë Ligën e krijuar prej tij, Eagle FC.
Një Ligë që synon të rivalizojë UFC-në, ku president është Dana White.
Ish-kampioni rus, i ka bërë së fundi një ofertë amerikanit Dustin Poirier, ish-rival në kafaz në shtator të 2019-ës, të duelojë në Ligën e tij.
“Nëse UFC do ta lërë të lirë, unë jam gati të nënshkruaj me Dustin, që të duelojë në Eagle FC. Së bashku mund të organizojmë disa duele bamirësie”, u shpreh Khabib.
“Të pres Dustin, më telefono, ti e di numrin e menaxherit tim”, u shpreh më tej Nurmagomedov, që ka një marrëdhënie të mirë me Dustin Poirier. Ky i fundit, pas dy fitoreve që arriti këtë vit ndaj Conor McGregor, u mund 10 ditë më parë nga braziliani Charles Oliveira, duke mos u shpallur dot kampion bote.