Boksieri suedez Otto Wallin, 22 fitore, 1 humbje e 1 barazim në karrierën e tij, pritet të jetë sfidanti i britanikut Anthony Joshua në një duel për titulln e përkohshëm në peshën e rëndë. Joshua duhet të zhvillojë revanshin ndaj ukrainasit Oleksandr Usyk, por ai është në vendlindje, duke mbrojtur vendin e tij nga agresioni rus.
Për pasojë, sfida për titujt kampionë bote në peshën e rëndë mes Usyk e Joshua pritet të shtyhet dhe britaniku të zhvillojë një duel shtesë, në maj apo qershor të këtij viti.
Sipas mediave britanike, 31-vjeçari Otto Wallin është kandidati më i mundshëm, i disponueshëm për të dueluar ndaj Joshua.
Wallin ka dueluar për herë të fundit në shkurt të këtij viti dhe humbjen e vetme në karrierë e ka ndaj Tyson Fury (2019), në një sfidë që suedezi mund ta fitonte. Ai i shkaktoi një të çarë në vetull Fury dhe ishte ndihma e stafit mjekësor që bëri të mundur që plaga të mbyllej dhe Fury të vazhdonte sfidën dhe ta fitonte atë.
“Wallin është alternativa më e mirë, është një boksier i ngjashëm me Usyk dhe është i vetmi që ka vënë në vështirësi Fury. Otto i ka aftësitë për të bërë dëme të mëdha dhe është një rival i mirë për Joshua. Nëse shtyhet sfida me Usyk, atëherë Joshua mund të duelojë me suedezin”, tha Eddie Hearn, menaxheri i boksierit britanik.