Presidenti i WBC-së, njëri prej versioneve më të rëndësishme në boksin profesionist botëror, Mauricio Sulaiman ia ka bërë një premtim të madh Kosovës.
Në fakt, ai ka premtuar se në brezin e ardhshëm të WBC-së do të vendoset edhe flamuri i Kosovës, krahas flamujve të tjerë të shteteve të ndryshme të botës.
Kreu i WBC-së së fundmi ishte mysafir në Tiranë, ku e ofroi përkrahjen e tij për boksin shqiptar, por edhe për atë të Federatave Rajonale për zhvillimin e boksit profesionist.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit Profesionist të Kosovës, Nexhmedin Zeka, i cili e mori premtimin e madh nga presidenti i WBC-së, me të cilin e pati një takim të frytshëm në kryeqytetin shqiptar.
Sa për informatë, Kosova është anëtare me të drejta të plota në WBC nga viti 2013.