Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984, sportisti i shekullit Aziz Salihu, ish boksieri i mirënjohur, shpërthen për rastin Xhevdet Peci.
Salihu tha se nuk po mund ta marrë veten, ka humb një koleg e mik të madh, që kaluan pjesën më të mirë së bashku me sukseset e klubit të boksit Prishtina.
“Jam shumë nervoz”, kështu e fillon bisedën Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot”.
“Xhevdet Peci është mbret”, thotë me zë të dridhur Salihu.
“Të tregoj drejtën, jam shumë i zhgënjyer, jam shumë nervoz. Strese të shumta, edhe kjo ka mundur me ndikuar të Xhevdet Peci.
Ai ka mundur me jetuar edhe më shumë sikur mos të kishte stresin. Bota e ka njohur.
Peci ka qenë boksier shumë i mirë, kemi qenë një kategori dhe kurrë nuk kemi pas problem mes vete kur boksonim.
Ai i nokautonte e unë i rrihja dhe fitonim. Si kryetar i klubit po mendojmë me bë diçka.
Kurrë nuk kemi me harruar Xhevdet Pecin. Kemi me ia mbajt një turne kur e bën njëvjetorin e vdekjes e kemi me bë tradicional turneun”, thotë më tej.
Salihu tha se ka qenë marre e madhe që një emër i madh si Xhevdet Peci të ketë një pension 100 euro,.
“Këta të Qeverisë, të bëjnë çmos me rregulluar statusin e sportistëve të merituar.
Gjithë unë e Xhevdeti kemi bë bum. Xhevdeti ka marrë 100 euro pension, marre! Xhevdet Peci shumë e kam dashur, e kam çuar shumë mirë me të.
Bashkë i kemi mundur krejt. Xhevdeti është i madh. Sportistët e mëdhenj nuk po i respektojnë, po i lënë anash.
Mos na vajtoni kur të vdesim, por nderona sa jemi gjallë. Kemi qenë gjashtë boksierë të asaj kohe që kemi boksuar në Evropë e botë.
Xhevdet nuk lindi nëna, edhe Xhevdeti thoshte: Aziz nuk lind nëna.
Ai është mbret i boksit. Unë e ai jemi numër një, ai ka qenë gjashtë herë kampion i ish Jugosllavisë e unë 10 herë”, tregon “Zizi”.
“Jam i mërzitur shumë. Na la edhe një koleg, një mbret i boksit. Gjithë e kam dashur”- përfundon Salihu.