Donjeta nxjerr hak për meshkujt që nuk i lanë të garonin në Serbi!
Vitin e kaluar, boksierët kosovarë mbetën pa marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit.
Kjo për faktin se Serbia nuk i lejoi garuesit tanë të merrnin pjesë duke e përfaqësuar vendin e tyre, të cilin serbët e konsiderojnë ende si pjesë të tyre.
Sidoqoftë, Donjeta Sadiku është duke nxjerrë hak për kolegët e saj të boksit.
Derisa atyre iu mohua një e drejt elementare, boksierja e Kosovës po shkëlqen në Botërorin e femrave në Stamboll.
Garuesja nga Gollaku e ka siguruar tashmë medaljen në Botërorin që po mbahet në Turqi pasi është kualifikuar në gjysmëfinale.
Dhe, për medaljen e parë të Kosovës ndonjëherë në një Botëror në këtë sport luftarak ka shkruar edhe portali i njohur “insidethegames”.
“Kosova mungoi në Kampionat Botëror të meshkujve shkaku i moslejimit për t’u futur në Serbi. Mirëpo, Donjeta Sadiku ishte në gjendje të garojë këtu në Stamboll dhe e siguroi podiumin pasi e mposhti garuesen Wu Shih-yi nga Taipei Kinez në peshat -60 kilogramë”, shkruan ky medium.
Paraprakisht, boksierja më e mirë e Kosovës i kishte mposhtur japonezen Ayaka Taguchi dhe kongolezen Jocelyne Tshamala.
E në gjysmëfinale, Donjeta do të ketë punë me amerikanen Rashida Ellis, e cila e kishte fituar të bronztën në Botërorin e shkuar.
Sadiku tashmë e ka siguruar të bronztën, por nëse fiton edhe në gjysmëfinale, ajo do ta sigurojë të argjendtën, por që do të luftojë edhe për të artën.
Donjeta Sadiku ka qenë e suksesshme edhe në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian për juniore dhe për të reja, ku kishte fituar medalje po ashtu.