Boksierja Donjeta Sadiku (60 kg) futet në historinë e boksit dhe sportit të Kosovës, siguroi medaljen e bronztë, tani synon finalen e madhe në Kampionatin Botëror, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.
Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, tha se e kishte një parandjenjë se do të fitojnë medalje, pasi që Donjeta kishte arritur një standard tjetër të nivelit të saj.
Demolli asnjëherë nuk dyshonte në cilësitë e Donjetës, e cila dje edhe vulosi suksesin e boksit dhe në përgjithësi sportit të Kosovës.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/May/17/auto_21652790315.jpg)
“Kam deklaruar para pak kohe, pak para se të shkojmë në Kampionatin Botëror, se është koha për medalje. Kam thënë se presim medalje dhe u arrit qëllimi.
Pas një pune dhjetëvjeçare me boksieren, u bë e gatshme për sfida e mëdha në konkurrencën e senioreve.
Fillimi ishte vështirë te senioret, por me kalimin e kohës Donjeta fitoi përvojë të madhe”, thotë Demolli për gazetën kombëtare “Bota sot”..
Donjeta është e gatshme për sfidën e radhës, gjysmëfinalen, e cila synon finalen e madhe.
Ajo nesër në orën 18.00 përballet me amerikane Ellis Rashida Shakilya.
“Besoj se edhe kundër amerikanes e ka vullnetin dhe dëshirën. Besoj se këtë sfidë do të kalojë dhe ngjitet në finale, pastaj do ta presë fituesen e përballjes mes brazilianes dhe italianes, njërës prej këtyre edhe t’i kundërvihet.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/May/17/auto_279963326_398294288863656_2679369537496216723_n1652790318.jpg)
Po presim të shkojë në finale, të intonohet himni dhe të ngritët Flamuri i Kosovës në piedestalin me të lartë”, shpreh optimizmin Demolli.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, tha se boksi gradualisht po kthehet në nivelin e dikurshëm, dëshmia më e mirë është suksesi i Donjetës.
“Boksi ka traditë tek ne dhe kjo është medalja e parë, besoj e shpresoj se edhe me djem e vajza tjera do të arrijmë medalje në të ardhmen. Boksi, besoj se gradualisht do të kthehet si në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, kur kemi fituar medalje olimpike, evropiane e botërore.
Donjeta Sadiku bëri histori, pas 44 viteve i pruri medalje Kosovës, pasi që në vitin 1978 e kemi fituar të argjendtën në Kampionatin Botëror, por atëherë si ish Jugosllavi.
Kjo është medalja e parë për shtetin e Kosovës dhe ka jehonën e madhe.
Është kënaqësi për ne sepse edhe shtetet që nuk e njohin Kosovën, u bindën se Kosova ka traditë dhe sportiste të madhe”, përfundon Demolli.