Isaac Chamberlain e ka kujtuar njërin prej momenteve më të rëndësishme dhe më të pazakontë të karrierës së tij, atë me protagonist Deontay Wilderin.
Boksieri britanik thotë se e kishte pësuar një goditje aq të fuqishme nga Wilder sa që nuk e dinte as ku gjendej për momentin.
28 vjeçari ishte sparing-partner i Wilderit dhe për një moment kishte përfunduar në dysheme nga goditja e fuqishme me të djathtën e amerikanit.
“Ai është i fuqishëm, mjaft i fuqishëm. Më kujtohet kur isha sparing-partner i tij kur isha 19 vjeç. Më kishte goditur me aperkat, mendoja se isha kthyer në Londër. Ai është një goditës solid”, deklaroi për mediumin britanik “Sky Sports” boksieri Chamberlain, i cili beson fuqishëm se Wilder do të rikthehet në ring dhe se do të ketë suksese.
“Njerëzit gjithmonë thonë se arma e tij më e fortë është forca. Por, nuk është vetmë kjo, është shpejtësia e tij.
Ai është më i mirë se që mendojnë njerëzit”, vazhdoi Chamberlain, i cili e ka provuar goditjen e fuqishme të boksierit amerikan.
Deontay Wilder nga ana e tij po kërkon të përballet me fituesin e duelit të madh ndërmjet Oleksandr Usyk dhe Anthony Joshua.
Por, më i mundshëm është dueli ndërmjet 35 vjeçarit ndaj Robert Helenius, që mund të zhvillohet në muajin tetor.