“Pas 5 vitesh rikthehem të dueloj në Tiranë, pasi jam përballur kudo në Europë.
Mezi pres ta shoh stadiumin plot me flamujt kuqezi”. Është kjo deklarata e dhënë në rrjetet sociale nga boksieri shqiptar Florian Marku, që më 25 gusht do të duelojë në “Air Albania” ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez.
Kjo sfidë është e vlefshme për titullin e përkohshëm kampion bote në kategorinë WBC Silver (pesha welter). Duke folur për zhvillimin e ndeshjes në Tiranë, Marku sqaron se si u arrit marrëveshja:
“Kam një kontratë me Sky Sports, për të zhvilluar 4 duele këtë vit dhe njëra prej tyre do të jetë në Tiranë”.
“Ata nuk donin ta zhvillonin këtë ndeshje këtu, pasi për ata ishte një risk i madh dhe nuk besonin. Kam bërë luftë që ta zhvilloj këtë ndeshje dhe të sjell këtë organizim në Shqipëri.
Ata donin ta shtynin pas një viti, por këmbëngula me zemër e shpirt dhe ia dola mbanë”, tha Marku, që numëron 11 fitore e 1 barazim në karrierë.