Ndërkohë që të gjithë presin zyrtarizimin e duelit të madh të peshës së rëndë në boks mes britanikut Tyson Fury e ukrainasit Oleksandr Usyk, palët ende duket se janë larg marrëveshjes.
Pas dështimit të organizimit të sfidës më 3 mars, tashmë është piketuar data 29 prill, por ende nuk ka asgjë konkrete.
Duke folur për rivalin e tij britanik, boksieri ukrainas Oleksandr Usyk, tha: “Kur s’ka kamera, Tyson është krejt ndryshe.
Ai bën rolin e “djalit të keq” vetëm kur janë kamerat e ndezura dhe të pranishme. Mendoj se ai e pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, të shohë veten në televizor dhe më pas të qajë paksa”.
“Tyson i pëlqen të qajë kur sheh veten.
S’ka asgjë të keqe, pasi edhe unë kur shoh ndonjë film prekës emocionohem.
Mendoj se kam arritur të hyj në mendjen e tij, ndërkohë që prej vitesh kam parë se si Fury ka hyrë në mendjen e rivalëve të tij. këtë herë është ndryshe, jam unë në mendjen e tij dhe do ta mund”, tha Usyk.