Julia Lemus, ish e dashura e ish-kampionit të botës në peshën e rëndë Andy Ruiz, ka akuzuar këtë të fundit se gjatë marrëdhënies 7-vjeçare që ata patën mes tyre, është abuzuar seksualisht, fizikisht dhe psikologjikisht.
Lemus, një 26-vjeçare që jetoi me boksierin meksikan nga viti 2015-2022, gjithashtu pretendoi se Ruiz kishte abuzuar fizikisht e emocionalisht edhe me dy fëmijët e tyre.
Gjithsesi, Ruiz ka mohuar akuzat dhe pretendon se ai ka qenë viktimë gjatë marrëdhënies, pasi Lemus e goditi me thikë.
TMZ Sports ka zbuluar se Julia Lemus paraqiti një urdhër ndalimi të dhunës në familje në San Diego më 6 prill. Sipas dosjeve, Lemus akuzoi gjithashtu boksierin për abuzim me alkoolin dhe drogën e paligjshme, gjë që ajo tha se i shkaktoi asaj “frikë për jetën dhe sigurinë time dhe jetën dhe sigurinë e fëmijëve të mi“.
Lemus thotë se Andy Ruiz nisi të abuzonte ndaj saj në kohën kur mundi Anthony Joshua për titullin e unifikuar të peshave të rënda në 2019.
Ajo dokumentoi raste të shumta të abuzimit të supozuar në kërkesën për urdhrin e ndalimit, duke thënë:
“Ai filloi të më kapte nga krahët e mi dhe të më shtrëngonte fizikisht në mënyrë që të më lëvizte kudo që donte të shkoja“.
Ajo dha dëshmi fotografike për këtë në akuzën e bërë. Lemus tha se nuk ndihej rehat me sasinë e armëve të zjarrit përreth dhe se Ruiz “vazhdoi të më drejtonte një AK-47 në fytyrën time”.
Ajo pretendon se Ruiz filloi ta sulmonte edhe seksualisht.
Menjëherë pasi Lemus aplikoi për urdhrin e ndalimit të përkohshëm, një gjykatë e dha atë, duke urdhëruar Ruiz të qëndronte 100 metra larg saj, duke e ndaluar atë të zotëronte çdo armë zjarri dhe duke i dhënë Lemusit kujdestarinë e vetme ligjore dhe fizike të fëmijëve të tyre.