Boksierët dhe boksieret e Kosovës janë viktimë e politikës së disa shteteve dhe si rrjedhojë e kësaj edhe nuk i japin viza boksierëve tanë që të garojnë në garat e nivelit më të lartë.
Kosova dy herë e ka paguar shtrenjtë këtë çmim gjatë këtij viti, e para nuk iu lejua boksieres Donjeta Sadikut që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror në Indi, për shkak e ky shtet nuk e njeh shtetin e Kosovës.
E dyta, boksierëve tanë iu mohua e drejta të janë në Kampionatin Botëror në Uzbekistan, shtet ky që nuk i pajisi me viza.
Ka reaguar Shoqata e Gjyqtarëve Botëror, duke thënë mes të tjera: “Mos e përzieni politikën me sport”.
Latif Demolli sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjyqtar ndërkombëtar, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”: “Nuk do të lëmë guri pa lëvizur për të kërkuar të drejtën tonë, pasi që Kosova është shtet i barabartë me të gjitha shtetet dhe Federata e Boksit e Kosovës, e ka të drejtën të marrë pjesë në secilën garë.
Në dy raste jemi viktimë e politikës së shteteve që nuk e njohin shtetin tonë, ndaj janë shkelur të drejtat e sportistëve, kjo është e papranueshme mënyra se si i trajtojnë boksierët tanë”.