Musli Zymberi është i çuditur dhe nuk i beson as syve dhe as veshëve, se si është e mundur që e vetmja qenka Federata e Boksit që nuk paska mëditje!
Musliu është i habitur dhe i tronditur, se si hendbolli, volejbolli, atletika etj. paskan mëditje për anëtarët e tyre dhe Federata e Boksit jo!
“E vetmja qenka federata e boksit që nuk paska mëditje për anëtarët e boksit.
Pse?
Ku është arsyeja.
A ka kush jep arsyetim?”, thotë Zymberi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Zymberi tregon se nuk e di se çka është mëditja.
Sipas tij, është mandati i dytë dhe nuk e ka prekur ende dora e tij mëditjen!
Musliu thotë se dikush ka me dhënë llogari për këtë punë!
“Është mandati i dytë i imi si anëtar i bordit në federatë dhe nuk marr mëditje, as shpenzimet e rrugës nuk mi kanë hequr dhe asnjëherë nuk kam munguar në mbledhje.
Ku është arsyeja?”, ka pyetur Zymberi.
Federata e Volejbollit e Kosovës merr 210.288 euro, mbi 42 mijë euro nga kjo shumë ndahen për paga dhe shërbime, letra e ndonjë gjë për zyre. Mëditja: 35 euro merr anëtari i bordit për çdo mbledhje.
Federata e Atletikës së Kosovës 117.216 euro, mbi 23 mijë euro nga kjo shumë ndahen për paga dhe shërbime, letra e ndonjë gjë për zyre. Mëditja: 40 euro merr anëtari i bordit për çdo mbledhje.
Federata e Hendbollit e Kosovës merr 210.860 euro, mbi 42 mijë euro nga kjo shumë ndahen për paga dhe shërbim, letra e ndonjë gjë për zyre. Mëditja: 50 euro merr anëtari i bordit për çdo mbledhje.
Federata e Boksit e Kosovës 185.354 euro, nga kjo shumë 37 mijë euro ndahen për paga dhe shërbim, letra e ndonjë gjë për zyre. Mëditje nuk ka për anëtarët e bordit.