Rikthimi i shumëpritur i Conor McGregor në kafaz pas 3 vitesh pushim supozohej të ishte në eventin UFC-303, në fund të qershorit, kundër Michael Chandler. Megjithatë, një gisht i thyer shkatërroi gjithçka.
Sfida kryesore e atij eventi u bë ajo që nxori fitues Alex Pereira, i cili mbrojti titullin kundër Jiri Prochazka pas një nokaut të dhunshëm.
Që nga anulimi i duelit mes McGregor dhe Chandler, UFC dhe presidenti i saj Dana White, praktikisht kanë heshtur.
Sipas mediave amerikane, White ka thënë se nuk do të flasë për “The Notorious” derisa të shërohet plotësisht.
Gjatë eventit UFC Denver, zhvilluar dy ditë më parë, McGregor iu përgjigj Chandler në Twitter, duke pretenduar se ai ka një datë të re për duelin mes tyre. “Unë fola me Dana White sot për takimin tonë të ri. Gjithçka dukej mirë! I sigurtë që sfida do të zhvillohet gjatë këtij viti”, ka shkruar McGregor.
McGregor ka postuar në Tëitter shumë gjëra që nuk janë realizuar ndër vite, por duket se kjo mund të jetë e vërtetë. Chandler, ndërkohë, duket se beson se lufta do të ndodhë në shtator. Nëse McGregor thotë të vërtetën, të gjithë do ta shohin rikthimin e tij këtë vit pas më shumë se 3 vitesh, pas dëmtimit dhe operacionit.