E para e vendit, Vjosa Osmani e ndoqi live nga tribunat meçin e parë të boksieres kosovare, Donjeta Sadikut, që e nisi garimin e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike të Parisit.
Sadiku shënoi fitore në duelin e parë me vendim të ndarë të gjyqtarëve ndaj tajlandezes, Thananya Somnuek në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Kjo është nismë e mbarë e boksieres kosovare, e cila synon medalje në skenën më të madhe të sportit.
E Osmani pas fitores u shpreh se ky ishte një moment krenarie për vendin dhe falënderoi Donjeta Sadikun për emocionet e dhuruara.
“Moment krenarie për vendin fitorja e Donjeta Sadikut. Faleminderit Donjeta për këto emocione”, shkroi Osmani në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.