Demolli: Sadiku e përjetoi rëndë humbjen, nuk ishte në gjendje të mirë emocionale

Boksi

Demolli: Sadiku e përjetoi rëndë humbjen, nuk ishte në gjendje të mirë emocionale

Më: 30 korrik 2024 Në ora: 11:44
Latif Demolli

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku nuk arriti që të futet në zonën e medaljeve në Lojërat Olimpike pasi ajo u mposht nga boksierja kolumbiane Valdes Pana, kategoria në kategorinë deri në 60 kilogramë. Kjo humbje, sipas sekretarit të Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ishte e papritur dhe ajo erdhi edhe për shkak të luftës jo korrekte nga ana e rivales së Sadikut.

Demolli: Prisnim fitoren e Donjetës edhe në luftën e dytë

“Ne kemi qenë të sigurt që edhe duelin e djeshëm do ta fitojmë sepse Donjeta Sadiku siç e pamë ishte në formë të mirë, por dje fati nuk ishte në anën e Donjetës edhe pse për mua më e përgatitur dhe më meç të mirë zhvilloi dje se sa meçin e parë. Siç e pamë, në raundin e tretë boksierja nga Kolumbia tërë kohën rrëshqitke në dysheme vetëm për ta kaluar kohën dhe nuk kishe më kondicion për raundin e tretë dhe nuk ia dha mundësinë Donjetës të tregojë boks”, theksoi Demolli.

Demolli zbuloi se pas humbjes, Sadiku nuk ishte në gjendje të mirë psiqike dhe erdhi në vete vetëm pas disa orësh pushimi.

Demolli: Humbjen e përjetoi rëndë

“Donjeta është zhgënyer shumë nga vetvetja dhe ka rënë në depresion se si ka mundur të humbas në këtë duel që as në ëndërr nuk e ka parë. Donjeta në Paris ka ardhur vetëm për medalje dhe ajo ka menduar sidomos deri në gjysmëfinale mos të ketë asnjë problem nga kundërshtarët, por kjo ndodh, ky është sport dhe duhet pranuar humbjen si pjesë e sportit, por Donjeta humbjen e pranoi shumë rëndë dhe ishte në gjendje jo të mirë psiqike, aq shumë e përjetoi rëndë sa që iu deshën dy orë për ta marrë veten dhe për t’u stabilizuar”, theksoi Demolli.

Por, Demolli u shpreh i bindur se Donjeta Sadiku do t’i sjellë Kosovës të tjera medalje evropiane e botërore, derisa theksoi se ajo do ta përfaqësojë Kosovën edhe në olimpiadën e radhës që mbahet pas katër viteve.

Demolli: Sadiku do ta përfaqësojë Kosovën edhe në olimpiadën e radhës

“Donjeta është e pjekur dhe olimpiadën pas katër viteve prapë do të na përfaqësojë, por deri atëherë kemi Kampionatin Botëror, kemi edhe Kampionatin Evropian dhe vazhdojmë më tutje. Donjeta do të na sjellë edhe medalje të tjera”, tha në fund Demolli.

Ndryshe, përveç Sadikut, pa medalje mbetën edhe xhudistja Nora Gjakova si dhe xhudisti Akil Gjakova, ndërsa me medalje të argjendtë është stolisur Distria Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat