Ish gjyqtari i mirënjohur i boksit të Kosovës, Rrustem Konjuhi, shprehet kritikë se si punohet nëpër klube, po ashtu edhe ndaj disa referëve të Kosovës.
Konjuhi tha se duhet ndryshime rrënjësore në boksin e Kosovës
“Boksit tonë i duhen ndryshime rrënjësore, duke filluar prej klubeve e deri në vet federatë”, thotë Konjuhi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ish kryetari i Shoqatës së Referëve të Boksit të Kosovës, ka vërejtjet e tij.
Ai tha se duhet sa më parë të reflektohet për të mirën e boksit.
“Klubet duhet të riorganizohen, së pari të zgjedhin bordin i cili ka vullnet të punojnë dhe të ndihmojnë klubet që të rimëkëmbën, trajnerët të angazhohen në rend të parë për aftësimin e tyre profesional, punën dhe angazhimin edhe më të madh edhe pse angazhimi nuk mungon, por nuk është i mjaftueshëm për ngritjen e cilësisë, duhet aftësimi i tyre duke përcjell ligjërata apo seminare të ndryshme ndërkombëtare që organizohen jashtë shtetit po ashtu edhe të sjellin ekspert të ndryshëm tek ne, për trajnime për metodat më të reja tekniko - taktike por edhe psiko fizike. Gjithashtu të ndjekin njohurit e rregullave, sepse po me duket se janë pajtuar me ato licenca që i kanë marr para shumë vjetëve, dhe pa përtrirjen e njohurive të reja nuk ka prosperitet”, ka nënvizuar ai.
Ai është i dëshpëruar edhe me referimin duke thënë: “Mandej riaftësimi i referëve që ka ngel tërësisht me licenca fillestare që i kanë marr me vite të tëra, bile këtu mund të theksoj se disa refer e kanë pas rastin për avancim me yje por kanë dështu përpos njërit që është pajis me një yll.
Ky dështim është nga mosnjohja dhe interpretimi si duhet i rregullave, mos respektimi i sugjerimeve të kolegëve më të vjetër kur u kemi tërheq vërejtjen se rregullat duhet mësohen dhe të aplikohen në përditshmëri, me sa duket nga vete kënaqësia se janë refer të aftë kanë dështu, gjithashtu për të marr një kahje tjetër suksesi, boksi për së pari edhe delegatët duhet të aftësohen, pra këto në disa nga ndryshimet që sa me shpejt duhet fillohet”.
Kujt ia hedh fajin për këtë dështime dhe pse nuk ka faj boksierja Donjeta Sadiku (është eliminuar në të tetën e finales së Lojërave Olimpike – Paris 2024) ish gjyqtari i gjeneratës së sakrificës dhe për shumë vite i pasluftës.
“Kryeneqësia e akterëve udhëheqës ,dhe anashkalimi i njohësve dhe kryesisht ish legjendave se mund të arrijnë diçka më shumë është veç se një dështim sepse po t’i kishte ndokush gjithë këto legjenda do t’i shfrytëzonin deri maksimum për ndihmë organizative por edhe vepruese. Në fund do të kisha thënë se Donjeta të mos zhgënjehet por humbjen që pësoj, nuk është faji i saj, si mund të jetë në formë permanente kur edhe një të vetmin duel nuk e ka në vendin tonë.
Në mungesë të garueseve, nuk janë të mjaftueshme dy - tri gara jashtë shtetit për të mbajt formën konstante, dhe në fund të fundit kaq është kapaciteti i trajnerëve për të udhëheq boksin në garat ndërkombëtare”, thotë Konjuhi.
Konjuhi ka edhe një mesazh të qartë edhe për të gjitha klubet!
“Ky vit është edhe viti zgjedhor pas olimpiadës, klubet duhet kenë kujdes se kenë e delegojnë në kuvendin zgjedhor që në bordin e federatës të zgjedhën njerëzit që punojnë dhe ngrisin nivelin e boksit, e mos të zgjidhen njerëzit të cilët aty janë vetëm figurë dhe për t’u lavdëru se janë anëtar të bordit sa për të dal nga njëherë në TV për reklama”, ka përfunduar Konjuhi.