Rikthimi në kafaz i Conor McGregor nuk do të ndodhë këtë vit. I këtij mendimi është presidenti i UFC-së, Dana White. Ky i fundit, kur u pyet për një rikthim të mundshëm të irlandezit në skenë këtë vit, befasoi të gjithë me përgjigjen e tij.
White zbuloi se të dy kishin folur, por nuk ishte optimist për luftën e talentit irlandez në 2024: “Ne folëm, nuk u takuam por folëm. Ai dëshiron të luftojë, kështu që ne do ta menaxhojmë këtë situatë. Gjithsesi, jo këtë vit, ai nuk do të luftojë këtë vit”.
Një grusht i rëndë ky për “the notoruis”, që synonte të rikthehej në kafaz këtë vit, ndoshta në dhjetor, në një duel ndaj Michael Chandler. Sfida mes tyre u planifikua në fund të qershorit (UFC-303), por u anullua për shkak të dëmtimit të McGregor.
Tashmë pritet që palët të diskutojnë sërish për një rikthim të irlandezit në kafaz, sportistit më të njohur të këtij sporti, por që nuk duelon prej 3 vitesh. Situata duket e paqartë, por ka gjasa që rikthimit të ndodhë vitin 2025.