Boksieri britanik Anthony Joshua nuk heq dorë nga misioni i tij për t’u shpallur sërish kampion bote në peshën e rëndë. Ai synon të duelojë vitin tjetër me fituesin që do të dalë nga revanshi mes Oleksandr Usyk e Tyson Fury.
Por, Joshua ka një “detyrë” tjetër për të kryer para se të mbërrijë tek ajo sfidë. Ai do të përballet meDaniel Dubois për titullin vakant IBF më 21 shtator. Ndërsa Usyk dhe Fury do të luftojnë mes tyre për titujt WBA, WBO dhe WBC më 21 dhjetor.
“Joshua kundër Tyson Fury në fillim të vitit 2025 është sfida që ne kemi përgjegjësinë për të ofruar dhe ne nuk largohemi nga përgjegjësitë tona”, tha për Sky Sports promotori i njohur i boksit Eddie Hearn, njëkohësisht menaxheri i Joshua.
Sipas tij, derbi britanik mes Joshua e Fury ende mund të organizohet, edhe nëse Oleksandr Usyk do të fitonte revanshin e tij me Fury në dhjetor. “Mendoj se është e gjitha detyra jonë. Ne duhet të vazhdojmë të ofrojmë produktin më të mirë”, tha Hearn.
“Duhet ta bëjmë atë sfidë. Unë personalisht mendoj se Usyk mund Fury në revansh. Është më e lehtë të bëhet nëse Fury mund Usyk, sepse atëherë nëse Joshua ka mundur Dubois. Në këtë rast, do të zhvillohet sfida e unifikimit të titujve kampionë”, tha Hearn.
“Usyk është një kampion bote i klasit të lartë, por nuk ka tërheqjen komerciale të Tyson Fury. Pra, çfarëdo që të ndodhë në Fury-Usyk ende duke supozuar se AJ ka fituar ndaj Dubois, sfida mes dy boksierëve britanike mbetet përballja më e madhe në botë”, u shpreh Eddie Hearn.
“Është dueli që bota po pret. Nuk ka një vend mjaft të madh për të vënë në skenë numrin e njerëzve që do të donin të merrnin pjesë. Do të jetë kolosale. Këta njerëz duan të fitojnë dhe duan një trashëgimi. Nuk mendoj se Anthony Joshua do të flerë derisa të jetë kampion i padiskutueshëm i botës”, tha Hearn.