​Boksi jashtë sporteve olimpike, dëm i madh për Donjetën dhe boksierët tjerë të Kosovës

Boksi

​Boksi jashtë sporteve olimpike, dëm i madh për Donjetën dhe boksierët tjerë të Kosovës

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 10:31
Boksi mund të përjashtohet nga programi olimpik

Një mosmarrëveshje ndërmjet Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit mund të çojë në përjashtimin e boksit nga programi i sporteve olimpike.

Kjo problematikë ka ardhur për shkak se Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka kërkuar dorëheqjen e Umar Kremlev, që ka prejardhje nga Rusia nga posti i presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Boksit, që të cilën ai e ka refuzuar.

Nëse kjo situatë nuk merr zgjidhje deri në fundit e këtij viti, atëherë boksi mund të përjashtohet nga programi olimpik, por Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli është shprehur optimist se kjo nuk do të ndodh.

Demolli: Kemi presion nga KOK-u që t’i bashkohemi Federatës Botërore të Boksit

“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka bërë presion te kryetari i IBA-së, i cili është me prejardhje nga Rusia që të jap dorëheqje dhe të jetë gjithçka në rregull, por ai këmbëngul që të qëndrojë në vend si president i IBA-së dhe këtu kanë lindur ato probleme dhe shqetësime dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka paraparë që në lojërat e ardhshme të përjashtohet boksi, por kjo besoj nuk do të ndodh për arsye se deri në vitin e ri, këto punë do të sqarohen. Duhet cekur se në Federatën Botërore të Boksit deri më tani janë vetën 44 federata, kurse mbi 190 janë në IBA. Ne kemi presion edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës që të kalojmë në Federatën Botërore, por kemi rënë dakord që deri në muajin tetor kur e kemi edhe Kongresin e Evropës që ta bëjmë një zgjidhje”, ka bërë të ditur Demolli.

Frikë nga kjo situatë ka shprehur edhe trajnerja e Donjeta Sadikut, Marjola Sallauka. Ajo ka thënë se boksi duhet të mbetet sport olimpik, pasi është ndër më të ndjekurit në botë.

Sallauka: Shpresoj që boksi të vazhdojë të mbetet sport olimpik

“Është një përballje ndërmjet Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatës Botërore të Boksit edhe po besoj shumë që boksin nuk e mendoj që mund ta largojnë aq lehtë nga programi olimpik. Sporti i boksit është një prej sporteve më fisnike dhe një prej sporteve që përcillet më shumë nga publiku kështu që po besoj që do të gjendet një zgjidhje edhe do të vazhdojmë siç kemi vazhduar gjithmonë”, thotë Sallauka.

Për boksierët e Kosovës, një vendim i tillë sipas Demollit do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm.

Demolli: Përjashtimi do të ishte shumë i dëmshëm për boksierët e Kosovës

“Të gjithë sportistët, jo vetëm boksi, të gjithë sportistët mendojnë dhe ëndërrojnë për Lojërat Olimpike është niveli më i lartë i një sportisti dhe do të ishte një dëm i madh po besoj që po të ndodh ajo që të përjashtohet IBA ose boksi nga Lojërat Olimpike, ne do të kalojmë në Federatën Botërore të Boksit me rajon dhe Evropë dhe besoj që do të bëhet edhe përqindja e federatave në Federatën Botërore, Komiteti Olimpik do ta pranojë dhe do të jemi pjesëmarrës në Lojërat Olimpike”, deklaroi në fund Demolli.

Ndryshe, Kosova u përfaqësua në Lojërat Olimpike në Paris edhe në sportin e boksit me boksieren Donjeta Sadiku, e cila fitoi luftën e parë por nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat