Boksi shqiptar është në zi pasi një sportist i njohur i viteve ’60 si Halil Petrela ka ndërruar jetë.
I datlindjes 1944, ai rrjedh nga një familje atdhetare dhe patriote. Përfundoi studimet në Politeknikumin "7 Nëntori", dega elektrike, dhe më vonë edhe Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimit.
Në moshën 15-vjeçare nisi të ushtronte sportin e boksit në klubin sportiv 17 Nëntori, me trajner Mjeshtrin e Madh Ahmet Golemi. Qysh në moshë fare të re, ai u shqua për talentin dhe vullnetin e madh për sportin e boksit.
Shumë shpejt arriti rezultate të larta: Dy herë kampion kombëtar për të rinj dhe në vitet 1962 dhe 1963 u shpall kampion kombëtar për të rritur duke fituar edhe Kupën e boksierit më teknik të kampionatit në vitin 1962. Halil Petrela ishte anëtar i Kombëtares së Shqipërisë.
Do të kujtohet jo vetëm si një talent i këtij sporti, por edhe si një njeri fisnik, tamam përfaqësues i denjë i familjes së vjetër tiranase, Petrela.