Në stadiumin e famshëm “Madison Square Garden” të Nju Jorkut do të zhvillohet mëngjesin e së dielës eventi i madh i arteve marciale mikse UFC-309. Një event që pritet me shumë interes nga fansat për shkak të sfidës së tij kryesore.
Ajo mes kampionit të botës në peshën e rëndë Jon Jones dhe sfidantit Stipe Miocic, ish-kampion bote në këtë Divizion. Dy amerikanë, dy ikona të këtij sporti, që për herë të parë në karrierën e tyre do të përballen në kafaz.
Jon Jones (27 fitore, 1 humbje në karriere) rikthehet në kafaz pas 20 muajsh. Ai duelon për herë të parë që nga marsi 2023, kur dhe mori titullin kampion ne këtë peshë. Ndaj, ai do ta mbrojë atë gjerdan për herë të parë.
Një kampion është edhe 42-vjeçari Stipe Miocic (20 fitore, 4 humbje në karrierë), që rikthehet të duelojë pas më shumë se 3 vitesh e gjysmë pushim (hera e fundit mars 2021). Ai kërkon të bëhet për herë të tretë kampion bote në peshën e rëndë.
Një tjetër sfidë interesante e këtij eventi është edhe ajo e peshës së lehtë mes Charles Oliveira (ish-kampion në këtë Divizion) dhe Michael Chandler. Kjo është hera e dytë që ata duelojnë mes tyre, me Oliveira që ka fituar përballjen e parë (maj 2021).
UFC-309, eventet kryesore
Jon Jones – Stipe Miocic
Charles Oliveira – Michael Chandler
Bo Nickal – Paul Craig
Viviane Araujo – Karine Silva