Alban Beqiri nderon Shqipërinë, fiton medalje ari në Kampionatin Ballkanik të boksit

Boksi

Alban Beqiri nderon Shqipërinë, fiton medalje ari në Kampionatin Ballkanik të boksit

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Ballkanik 2024 të boksit, kompeticion i zhvilluar në Loznica të Serbisë.

Përfaqësuesja kuqezi në këtë aktivitet formohej nga nëntë boksierë, të cilët konkurruan në kategoritë për të rritur (2), për të rinj (2) dhe për junior (5). Alban Beqiri shënoi një tjetër rezultat të madh, duke u shpallur për herë të dytë në karrierë kampion i Ballkanit, duke triumfuar në kategorinë e peshave 71 kg.

Beqiri, i cili mban edhe rezultatin më të lartë ndërkombëtar në historinë e boksit shqiptar, si i vetmi medalist në një botëror për të rritur, tregoi një formë të shkëlqyer duke fituar tri duele në Ballkanik, për t’u shpallur kampion.

30-vjeçari kuqezi kaloi me sukses ndeshjen e parë, duke mposhtur kundërshtarin serb Igor Rogiç, më pas vijoi me fitore dhe mbyllje te parakohshme kundër boksierit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Anis Aliut. Më tej në finale gjeti ukrainasin Matiakubov, nën-kampion bote dhe kampion Europe. Beqiri i mbylli llogaritë që në raundin e dytë, duke merituar medaljen e artë, për të ngjitur flamurin e Shqipërisë në shkallën më të lartë të podiumit. (VIDEO)

Alban Beqiri u shfaq shumë i lumtur me rezultatin dhe paraqitjen e tij në Ballkanik, duke e komentuar kështu suksesin e arritur: “Jam shumë i lumtur që për herë të dytë në kampionatin Ballkanik të boksit për të rritur arrita rezultatin më të lartë pas atij të vitit 2021, duke i risjellë Shqipërisë një medalje ari për vitin 2024 dhe në prag të festave të 28-29 nëntorit. Jam shumë krenar që e ngre flamurin tonë kombëtar në Loznica të Serbisë, sërish në një periudhë kaq të rëndësishme për ne”, u shpreh boksieri i Tiranës.

KUQEZIJTË E TJERË – Për të rritur shkëlqeu edhe Kris Bushi, i cili fitoi medalje argjendi në peshat 63.5 kg. Ndërsa duke kaluar te moshat, rezultatin më të lartë e arriti Besian Karaj, i cili fiti medalje ari, duke u shpallur kampion i Ballkanit në kategorinë e peshave 71 kg për të rinj. Stiven Xixi regjistroi medalje bronzi për të rinj në peshat 54 kg. Te kategoria e juniorëve, Kristian Jubani mori medalje argjendi në peshat 48 kg, ndërsa Riduan Gashi (66 kg), Jurgen Lazri (63 kg) dhe Ardit Deliu (50 kg) morën medalje të bronzta. Vendi i pestë për Jurgen Tresën në kategorinë e peshave 70 kg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat