Përveç futbollit, Arabia Saudite këtë vit u njoh edhe për organizmin e dy meçeve më të zjarrta në boksin profesionist.
Ky shtet, më saktësisht kryeqyteti Riadi ishte nikoqir i dy meçeve mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, për titullin e më të mirit të botës.
Meçi i parë i këtij viti mes kësaj dyshe, ishte paraparë të zhvillohej më 17 shkurt 2024, mirëpo që një lëndim në fytyrën e Furyt gjatë stërvitjes, bëri që dueli të shtyhet deri më 18 maj.
Në një përballje të zjarrtë, ashtu siç e ka edhe emrin ky meç “Ring of Fire”, fitues doli ukrainasi Oleksandr Usyk.
Në “Kingdom Arena”, ukrainasi fitoi me vendim të ndarë të gjyqtarëve, me Manuel Oliver Palmero dhe Mike Fitzgerald që i dhanë fitoren Usykun, derisa Craig Metcalife ia dha Furyt.
Kështu Oleksandr Usyk u shpall kampion i padiskutueshëm, duke qenë bartës i katër titujve kryesor në peshat e rënda, të njohura nga katër organizatat kryesore të boksit profesionist.
Menjëherë pas luftës së parë, u konfirmua edhe rimeçi, i cili u mbajt më 21 dhjetor.
Ndonëse shumëkush kishte shpresuar ndryshe, fituesi i duelit ishte i njëjti…
Përsëri në “Kingdom Arena”, ‘mbreti’ Usyk vazhdoi të mbetet në krye të boksit botëror, duke mbrojtur titujt e tij pas triumfit ndaj “Gypsy King”.
Kampioni i botës, 37-vjeçar e fitoi meçin me vendim unanim, me tre gjyqtarët që dhanë rezultatin e njëjtë prej 116-112.
Triumfi i 21 dhjetorit, për Usyk ishte i 23-ti në boksin profesionist, derisa Fury dy humbjet e vetme në karrierë i ka pikërisht nga bisha ukrainase.
Megjithëse humbi në ring, Fury doli me xhepat plotë nga këto përballje, duke fituar 85 milionë paund nga lufta e parë dhe po të njëjtën shumë edhe nga lufta e dytë.
Përveç kësaj përballje të zjarrtë, viti 2024 solli edhe rikthimin në ring të legjendës së boksit, Myke Tyson.
Tyson u rikthye nga pensionimi në moshën 58-vjeçare, për t’u përballur me ish-youtuberin Jake Paul, i cili është 27-vjeçar.
Jake Paul arriti që të mposht ish-kampionin e botës me vendim unanim.