Boksieri britanik Anthony Joshua ka konfirmuar se është duke u përpjekur që të sigurojë një përballje me patriotin e tij Tyson Fury në vitin 2025. 35-vjeçari ka deklaruar se dëshiron të rikthehet në ring pas humbjes dërrmuese ndaj Daniel Dubois, në shtator në vitit të kaluar.
Joshua, ish-kampion bote në peshat e rënda, u mund me KO në raundin e pestë nga një tjetër britanik si Dubois në stadiumin “Wembley”, duke regjistruar humbjen e tij të katërt në karrierë. Ai pret një përballje me Fury, i cili u mund nga Usyk edhe në revanshin e një muaji më parë.
“Në vitin 2025 po synoj sfidën me Tyson Fury”, tha Joshua, që më tej shtoi: “Kur shikoj prapa besoj se mund të kisha bërë më shumë gjatë vitit të kaluar. Gjithsesi, kam një shans tjetër në 2025-n për të bërë më shumë dhe do të sigurohem që të shfrytëzoj çdo mundësi që më del”.
“Jeta ime është lart e poshtë, kështu që më duhet të mësohem me kohët e trazuara dhe të vazhdoj të kaloj këtë moment.
Nuk mund të ndalem tani. Më duhet të vazhdoj deri sa të arrij destinacionin tim. Tani mendoj për sfidën me Fury dhe për revanshin ndaj Dubois, që synoj t’i zhvilloj këtë vit”, tha Joshua.