Tyson Fury ka njoftuar tërheqjen nga boksi pas dy humbjeve radhazi ndaj Oleksandr Usyk.
Tridhjete e gjashte vjeçari i cili është mposhtur për herë të dytë nga Usyk në dhjetor, kishte shpallur më parë tërheqjen pas fitores ndaj Dillian Whyte në prill të vitit 2022, por ishte rikthyer pas gjashtë muajsh.
"Ka qenë një aventurë fantastike. Kam shijuar çdo moment. Dua ta shpallë tërheqjen time nga boksi", ka thënë Fury në një video të shpërndarë.
Me një karrierë që përfshin gjithsej tridhjete e shtatë meçe, Fury ka arritur tridhjetë e katër fitore, dy humbje dhe një barazim. Ai ishte bërë i famshëm në vitin 2015, pas një fitore ndaj Wladimir Klitschko, duke i dhënë fund mbretërimit dhjetë vjeçar të ukrainasit si kampion i peshave të rënda.
Pas një periudhe prej gati tre vitesh larg sportit për shkak të problemeve me dopingun dhe betejave me shëndetin mendor, Fury ishte rikthyer në vitin 2018 duke zhvilluar tri përballje ndaj Deontay Wilder, ku kishte barazuar në mënyrë të diskutueshme në të parën dhe kishte fituar dy të tjerat.
Fitorja e fundit e Fury ishte ndaj ish-yllit të UFC, Francis Ngannou, ku kishte triumfuar me vendim të ndarë në tetor 2023.