Dubois tërhiqet nga mbrojtja e titullit kampion, ja kush do ta zëvendësojë në duelin ndaj Parker
E papritura ka ndodhur dy ditë para duelit të madh për titullin kampion bote në peshën e rëndë mes britanikut Daniel Dubois dhe neo-zelandezit Joseph Parker (Në Riad të Arabisë Saudite).
Boksieri britanik, që mban edhe titullin e kategorisë IBF, është tërhequr nga sfida pasi është i sëmurë, duke mos e mbrojtur dot titullin.
Mbrëmjen e së enjtes u njoftua se Daniel Dubois po vlerësohej nga një mjek pasi u sëmur.
Ai nuk u paraqit në konferencën e fundit për shtyp dhe më pas u zyrtarizua mungesa e tij në ring.
Gjithsesi, kjo nuk ka penguar sfidantin e tij Joseph Parker të këmbëngulë për një rival të shtunën në mbrëmje.
Kështu, u konfirmua se Martin Bakole do të zërë vendin e Dubois dhe do të ngjitet në ring të shtunën për t’u përballur me Parker.
Ky i fundit konfirmoi se do të duelojë ndaj kongolezin edhe pse nuk është përgatitur për këtë rival. Gjithsesi, ky lajm ka tronditur jo pak ambientin, pasi bëhet fjalë për duelin kryesor të mbrëmjes.
Bakole, 331 vjeç, ka dueluar për herë të fundit në gusht të vitit të kaluar dhe ka një rekord prej 21 fitoresh e 1 humbje. Ai nuk humbet një duel që prej vitit 2018, ndaj mbetet një rival i fortë. Ndërsa Joseph Parker, ish-kampion bote në peshën e rëndë (WBO) ka një rekord prej 35 fitoresh e 3 humbjesh.