Të shtëna në Gjermani – Kaos para gjykatës në gjyqin për vrasjen e boksierit shqiptar

Boksi

Të shtëna në Gjermani – Kaos para gjykatës në gjyqin për vrasjen e boksierit shqiptar

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 15:36
Policët sigurojnë vendin e ngjarjes të armatosur rëndë

Bielefeld, Gjermani – Kaos dhe panik në Bielefeld! Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan para Gjykatës së Landit, duke shkaktuar plagosjen e disa personave. Policia dhe forcat speciale (SEK) ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Sipas dëshmitarëve okularë, disa persona mbetën të shtrirë në tokë të plagosur, ndërsa njëri prej tyre u reanimua nga ekipet e ndihmës së shpejtë. Në mesin e të plagosurve janë anëtarë të familjes së të pandehurit.

Image
Njëri nga të plagosurit po largohet nga vendi i ngjarjes nga ekipet e shpëtimit

Ky incident ndodhi gjatë procesit gjyqësor për vrasjen e Besar Nimanit (38), boksier shqiptar dhe ish-kampion i Europës, i cili u ekzekutua në rrugë të hapur në Bielefeld më 9 mars të vitit të kaluar. Në bankën e të akuzuarve ishte Hüseyin Akkurt (38), i arrestuar në korrik në Bruksel. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij i dyshuar, Ayman Dawoud Kirit (33), është ende në arrati.

Image
Boksieri profesionist u ekzekutua në qendër të Bielefeldit

Të shtëna pas gjyqit – i plagosur vëllai dhe babai i të akuzuarit

Rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, shpërthyen të shtëna rreth 150 metra larg daljes së gjykatës. Dëshmitarët tregojnë se rojet gjyqësore filluan të bërtisnin: "Po gjuan dikush jashtë!".

Image
Hüseyin Akkurt po gjykohet për vrasje në Gjykatën e Landit në Bielefeld

 

Një nga të plagosurit është vëllai i të akuzuarit, i cili u qëllua në këmbë. Pamjet filmike tregojnë se ai u përpoq të largohej duke çaluar, por ndaj tij u qëllua sërish. Babai i të akuzuarit gjithashtu është plagosur rëndë, dyshohet se është qëlluar në zemër dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Autori në arrati – shkolla në alarm

Një nga autorët u arrestua menjëherë, ndërsa personi i dytë dyshohet se është strehuar në një ndërtesë pranë gjykatës. Për këtë arsye, një shkollë pranë zonës shpalli alarm për sulm të armatosur (Amokalarm), duke detyruar nxënësit dhe mësuesit të fshiheshin në klasa për siguri.

Ekzekutimi i Besar Nimanit – 16 plumba për një hakmarrje

Sipas aktakuzës, më 9 mars 2023, Besar Nimani u ndoq nga të pandehurit teksa parkonte BMW X5 në një zonë të ndaluar në qendër të Bielefeldit. Sapo doli nga makina për të hyrë në një kafene, dy personat e dyshuar hapën zjarr duke lëshuar të paktën 16 plumba ndaj tij.

Image
Policët prangosën njërin nga të dyshuarit si autor i të shtënave dhe e shoqëruan

Hetuesit dyshojnë se vrasja ka ndodhur për hakmarrje në botën e krimit, megjithëse ende nuk është sqaruar motivi i saktë i ekzekutimit të ish-kampionit shqiptar.

Image
Në këtë ndërtesë dyshohet se është strehuar autori i dytë i të shtënave

Policia gjermane vazhdon kërkimet për personin e dytë të dyshuar dhe po heton nëse përplasja e sotme është e lidhur me vrasjen e Nimanit.

Image
Këta dyshohen se kanë kryer të shtënat vdekjeprurëse ndaj boksierit profesionist: Hüseyin Akkurt (majtas) dhe Ayman Dawoud Krit, i cili është ende në arrati

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat