Një incident i rëndë ka ndodhur në momentin që dy boksierët britanikë, Chris Eubank Jr (34 fitore e 3 humbje) dhe Conor Benn (23 fitore e asnjë humbje), kanë dalë “ballë për ballë” pas konferencës për shtyp të zhvilluar në Londër.
Eubank, kampion bote në peshën e mesme (kategoria IBO) goditi me vezë në fytyrë Benn, në momentin që i dha një shpullë.
Një gjest i papritur që ka irrituar shumë rivalin e tij, ndërkohë që ndërhynë menjëherë forcat e sigurisë.
Pasi përfunduan konferencën për shtyp, boksierët dolën “ballë për ballë” dhe pas disa batutash, ishte Eubank Jr ai që reagoi, duke goditur Benn në fytyrë.
Ky i fundit, i irrituar për atë gjest, u përpoq të reagonte duke iu shkëputur rojeve të sigurisë.
Në skenë pati një kaos që zgjati gati një minutë dhe më vonë u kuptua se Eubank nuk e kishte goditur vetëm me shpullë por edhe me vezë, që e mbante në dorë.
Dueli mes dy boksierëve do të zhvillohet më 26 prill në Londër dhe është emërtuar si “Fatal Fury”.
Kjo sfidë duhej të ishte zhvilluar më 8 tetor 2022, por asokohe Benn doli pozitiv me “clomifene” dhe dueli u anullua.
Kjo përballje pritet me interes pasi në të shkuarën edhe baballarët e tyre janë përballur dy herë në ring. Asokohe, Chris Eubank Sr. ka fituar një herë ndaj Nigel Benn dhe ka barazuar sfidën e dytë mes tyre, mbi 30 vite më parë.